Popular Posts

Friday, February 18, 2011

Urdhri i infermierit


 
Ligje dhe Dokumenta
 
  
   
 
Legjislacioni
 
 LIGJ
Nr.9718, datë 19.4.2007
PËR URDHRIN E INFERMIERIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi i ligjit
Ky ligj ka për qëllim të rregullojë marrëdhëniet juridike të profesioneve infermier, mami, fizioterapeft, si dhe organizimin e Urdhrit të Infermierit.
Neni 2
Fusha e zbatimit
Ky ligj e shtrin veprimtarinë e vet në të gjithë territorin e vendit dhe zbatohet për të gjithë infermierët, mamitë dhe fizioterapeftët që ushtrojnë këtë profesion në Republikën e Shqipërisë.
Neni 3
Statusi
Urdhri i Infermierit është ent publik jobuxhetor, i cili përfaqëson interesat e përbashkët të profesioneve të infermierit, të mamisë dhe fizioterapeftit, si dhe rregullon marrëdhëniet ndërmjet tyre, në funksion të publikut.
KREU II
MISIONI DHE BUXHETI
Neni 4
Kriteret e anëtarësisë
1. Urdhri i Infermierit përbëhet nga infermierët dhe mamitë që kanë diplomën përkatëse dhe që e ushtrojnë profesionin në Republikën e Shqipërisë.
2. Shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të diplomuar si infermierë ose mami në Republikën e Shqipërisë, bëhen menjëherë anëtarë të Urdhrit, me pagimin e kuotizacionit dhe regjistrimin pranë tij.
3. Anëtarë të Urdhrit të Infermierit bëhen edhe të gjithë infermierët dhe mamitë, shtetas shqiptarë dhe të huaj, të diplomuar jashtë vendit, pas njohjes së diplomës, sipas legjislacionit në fuqi.
4. Shtetasi i huaj, që të ushtrojë profesionin e infermierit dhe mamisë në Republikën e Shqipërisë, duhet të jetë anëtar relativ i të njëjtit urdhër në vendin e vet ose në vendin ku së fundi ka ushtruar këtë profesion.
5. Përjashtohen nga ky detyrim, por jo nga e drejta e anëtarësimit në këtë organizëm, nëpunësit e administratës shtetërore, për sa kohë ata nuk ushtrojnë veprimtari të mirëfilltë si mami, infermier ose fizioterapeft.
Neni 5
Detyrimi për anëtarësi
1. Asnjë individ nuk mund ta ushtrojë profesionin e infermierit, të mamisë apo fizioterapeftit në Republikën e Shqipërisë pa qenë anëtar i Urdhrit të Infermierit.
2. Punëdhënësit e institucioneve shëndetësore, publike dhe private, të shërbimit shëndetësor parësor, dytësor dhe tretësor, ndalohen t'i punësojnë ata në kundërshtim me këtë dispozitë.
Neni 6
Misioni i Urdhrit të Infermierit
1. Urdhri i Infermierit ka si mision ruajtjen e standardeve të miratuara nga Ministri i Shëndetësisë, në ushtrimin e profesionit infermier, mami ose fizioterapeft, nëpërmjet mbikëqyrjes së normave të etikës dhe të Kodit Deontologjik të profesioneve infermier, mami dhe fizioterapeft, si dhe mbrojtjes së pacientëve dhe të publikut nga kequshtrimi i profesionit të infermierit, mamisë apo fizioterapeftit.
2. Në përmbushje të këtij misioni, Urdhri i Infermierit:
a) kryen regjistrimin e infermierëve, mamive dhe fizioterapeftëve në regjistrin përkatës të këtij urdhri;
b) mbikëqyr zbatimin e detyrave profesionale, në përputhje me kërkesat e shkencave mjekësore, rregullat e etikës dhe Kodin Deontologjik;
c) siguron udhëheqjen etiko-morale e deontologjike të bashkësisë së infermierëve, mamive dhe fizioterapeftëve, pavarësinë e ushtrimit të profesionit dhe mbron interesat moralë të këtij profesioni;
ç) mbron interesat e pacientëve dhe të publikut nga kequshtrimi i mjekësisë dhe shkelja e Kodit Deontologjik Mjekësor nga ana e infermierëve, mamive dhe fizioterapeftëve;
d) bashkëpunon për zhvillimin e standardeve profesionale, për planifikimin dhe hartimin e programeve të formimit profesional për realizimin e specializimeve të ndryshme dhe të edukimit në vazhdim të mamive, infermierëve dhe fizioterapeftëve;
dh) konfirmon anëtarësinë në Urdhrin e Infermierit, nëpërmjet dhënies së certifikatës së anëtarësimit.
Neni 7
Bashkëpunimi
Urdhri i Infermierit, për ushtrimin e misionit, mban lidhje dhe bashkëpunon me Ministrinë e Shëndetësisë, me institucionet vartëse të saj, si dhe me institucione të tjera publike dhe private.
Neni 8
Buxheti
1. Urdhri i Infermierit ka buxhetin e vet, të cilin e vetadministron në përputhje me rregullat financiare në fuqi.
Burimet financiare të Urdhrit të Infermierit janë:
a) kuotizacionet e anëtarëve, të miratuara nga Këshilli Kombëtar këtij Urdhri;
b) tarifat e regjistrimit;
c) donacione të ndryshme dhe të ardhura të tjera të ligjshme.
2. Të ardhurat që realizon gjatë ushtrimit të veprimtarisë, Urdhri i Infermierit i përdor për të përmbushur misionin e caktuar me këtë ligj.
3. Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Infermierit miraton buxhetin vjetor, si dhe pagat e shpërblimet.
KREU III
ORGANIZIMI DHE DREJTIMI
Neni 9
Organet kryesore
Organet kryesore të Urdhrit të Infermierit janë:
a) asambletë;
b) këshillat;
c) komisionet disiplinore.
Neni 10
Asambletë
1. Asambleja e Përgjithshme përbëhet nga tërësia e anëtarëve të këshillave rajonalë.
2. Asambleja e Përgjithshme zgjedh Këshillin Kombëtar. Zgjedhjet për anëtarë të Këshillit Kombëtar bëhen çdo 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
3. Asambleja rajonale përbëhet nga tërësia e përfaqësuesve të anëtarëve të Urdhrit të Infermierit të qarkut.
4. Zgjedhjet në këshillin rajonal bëhen çdo 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
Neni 11
Këshilli rajonal
1. Këshilli rajonal krijohet sipas ndarjes administrative-territoriale në bazë qarku dhe zgjidhet nga asambleja rajonale.
Këshilli rajonal zgjedh presidentin dhe zëvendësit e tij.
Këshilli rajonal emëron dhe shkarkon sekretarin e tij.
2. Mandati i presidentit është 5 vjet, me të drejtën e një rizgjedhjeje.
Neni 12
Këshilli Kombëtar
1. Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Infermierit përbëhet nga 17 anëtarë si më poshtë:
a) Presidenti i Urdhrit të Infermierit;
b) presidentët e këshillave rajonalë;
c) një përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësise
ç) një përfaqësues i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta;
d) një përfaqësues i Shkollave të Larta të Infermierisë;
dh) një përfaqësues i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.
2. Rastet e shkarkimit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar parashikohen në statutin, të cilin e miraton Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Infermierit.
3. Këshilli Kombëtar zgjedh presidentin dhe zëvendësit e tij. Mandati i presidentit është 5-vjeçar me të drejtën e një rizgjedhjeje. Funksioni i tij është i papajtueshëm me funksione të tjera drejtuese në administratën shtetërore.
4. Këshilli Kombëtar emëron dhe shkarkon sekretarin e përgjithshëm.
5. Vendimet e Këshillit Kombëtar merren me shumicë votash, kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të tij.
Neni 13
Komisionet disiplinore
1. Pranë Këshillit Kombëtar dhe këshillave rajonalë të Urdhrit të Infermierit funksionojnë komisionet disiplinore, të cilat caktohen nga këshillat përkatës.
2. Komisionet disiplinore janë organizma të gjykimit profesional. Ato verifikojnë dhe shqyrtojnë ankesat për shkeljet e etikës mjekësore, të Kodit Deontologjik, si dhe gabimet mjekësore nga anëtarët e Urdhrit të Infermierit.
3. Komisionet disiplinore pranë këshillave rajonalë ushtrojnë përgjegjësi disiplinore të shkallës së parë. Vendimet e tyre ankimohen në komisionin disiplinor të Këshillit Kombëtar, i cili ushtron kompetenca disiplinore të shkallës së dytë.
Neni 14
Kodi Deontologjik
Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Infermierit miraton Kodin Deontologjik të profesioneve infermier, mami dhe fizioterapeft.
Neni 15
Statuti
Veprimtaria e Urdhrit të Infermierit rregullohet me statut, i cili miratohet nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Infermierit
Neni 16
Masat disiplinore
1. Komisioni disiplinor mund të vihet në lëvizje nga një ankesë e paraqitur me shkrim apo me gojë, por ai mund të vihet në lëvizje edhe kryesisht.
2. Komisioni disiplinor heton dhe gjykon, në bazë të fakteve dhe provave të administruara, në seancë dëgjimore. Kur vërteton se anëtari ka kryer shkelje të etikës mjekësore, të Kodit Deontologjik ose ka bërë gabim mjekësor, ai jep masat e mëposhtme:
a) vërejtje me shkrim;
b) vërejtje me paralajmërim;
c) gjobë nga 1 000 (një mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
ç) propozim për shkarkim nga funksionet drejtuese në institucione shëndetësore;
d) pezullim nga e drejta e zgjedhjes në organet drejtuese të Urdhrit të Infermierit deri në 3 vjet;
dh) përjashtim i përkohshëm nga Urdhri i Infermierit për një periudhë deri në 3 vjet.
3. Përveç masave të parashikuara në pikën 2 të këtij neni, si masë plotësuese, komisioni ka të drejtë t'u caktojë të ndëshkuarve kryerjen e një rikualifikimi ose të studimeve plotësuese.
4. Masat e mësipërme disiplinore mund të shlyhen, nëse ndaj anëtarit, brenda 1 viti nga data e dhënies së tyre, për shkronjat "a" dhe "b" të këtij neni dhe brenda 3 vjetëve nga data e dhënies, për shkronjat "ç", "d" dhe "dh", nuk është marrë ndonjë masë tjetër disiplinore.
Neni 17
Ankimi
1. Ankesat kundër vendimeve për marrjen e masave disiplinore nga komisionet disiplinore, pranë këshillave rajonalë të Urdhrit të Infermierit paraqiten në komisionin disiplinor të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Infermierit brenda 30 ditëve nga komunikimi me shkrim i vendimit.

2. Komisioni disiplinor i Këshillit Kombëtar, brenda 30 ditëve nga marrja e ankesës, detyrohet të japë vendimin për ankesën e paraqitur. Vendimi i komisionit disiplinor të Këshillit Kombëtar është përfundimtar
3. Kundër vendimit të komisionit disiplinor të Këshillit Kombëtar, personi ka të drejtë t'i drejtohet gjykatës brenda 30 ditëve nga data e komunikimit me shkrim të vendimit.
Neni 18
Financimi
Urdhri i Infermierit financohet nga shteti për një periudhë dyvjeçare. Masa dhe mënyra e këtij financimi përcaktohen me akte nënligjore të Këshillit të Ministrave.
KREU IV
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 19
Organizimi i zgjedhjeve
1. Ministri i Shëndetësisë ngarkohet të ngrejë një komision të përkohshëm, i cili, brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, organizon zgjedhjet e para të këshillave rajonalë dhe të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Infermierit.
2. Me zgjedhjen e Këshillit Kombëtar, komisioni i përkohshëm shkrihet.
Neni 20
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.5293, datë 8.5.2007 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu

No comments:

Post a Comment